Frenohet mikrofinanca, ngec kreditimi nga institucionet financiare jobanka
Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka pësoi një frenim në tremujorin e tretë 2024.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në shtator 2024 arriti në 60.2 miliardë lekë ose rreth 608 milionë euro.
Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione pësoi rënie të lehtë me 1% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por megjithatë ngelet në rritje me bazë vjetore, me 12.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka i takon subjekteve të kredidhënies dhe të mikrofinancës. Vlerësohet se kredia e dhënë nga ky sektor përbën tashmë afërsisht 7.4% të portofolit total të kredisë për ekonominë.
Kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe në mesin e këtij viti, kredia në lekë përbënte pothuajse 69% të vlerës totale të portofolit të kredisë.
Kredia në lekë ka qëndruar në vlera të përafërta krahasuar me tremujorin e dytë, ndërsa rënia ka ardhur kryesisht tek segmenti i kredisë në valutë të huaj. Pjesërisht, rënia mund të shpjegohet me efektin e kursit të këmbimit dhe vazhdimin e mbiçmimit të lekut kundrejt euros.
Kontributin kryesor në rritjen e kreditimit jashtë sektorit bankar në vitet e fundit e kanë dhënë në veçanti produktet e mikrofinancës. Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kreditimit nga sektori financiar jobankar dhe veçanërisht nga segmenti i produkteve të mikrofinancës mund të ndikohet nga masat e reja rregullatore që pritet të miratojë Banka e Shqipërisë.
Mbështetur në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, që ka hyrë në fuqi në fillim të 2025, pritet një shtrëngim në hapësirat kredituese të institucioneve financiare jobanka.
Një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.
Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme dhe të provuara se niveli më i lartë i raportit DSTI nuk cenon shpenzimet e zakonshme të jetesës dhe rrjedhimisht pagesën e detyrimeve të kredisë.
Rregullorja e re gjithashtu përcakton se institucioni financiar, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë në kohëzgjatjen e saj, duhet të vlerësojë aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.
Institucioni financiar duhet të sigurojë të dhëna dhe informacione të nevojshme të ofruara nga vetë kredimarrësi dhe nga burime të tjera të arsyeshme të brendshme ose të jashtme të subjektit, që mund të ndikojnë aftësinë paguese të kredimarrësit, në veçanti qëndrueshmërinë e të ardhurave, historikun e pagesave, probabilitetin e ndryshimit të të ardhurave, si dhe të gjitha detyrimet e tjera financiare./ Monitor (https://monitor.al/frenohet-mikrofinanca-ngec-kreditimi-nga-institucionet-financiare-jobanka/)